Një shkrim që sqaron të gjitha dilemat kushtetuese dhe ligjore mbi Gjykaten Speciale

Perparim

Mbi Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale është çështje e pastër kushtetuese. Kjo sepse krijimi, organizimi dhe funksionimi i saj është paraparë në nenin 162 të Kushtetutës, të cilin si amendament kushtetues e ka miratuar përfaqësuesi i sovranit të Kosovës me dy të tretat e dyfishta më datën 3 gusht 2015. Për pasojë, shfuqizimi i këtij neni bazë mbi të cilin qëndron Gjykata Speciale mund të bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës e cila kërkon miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës.

Amendamenti nr. 24, përkatësisht neni 162 aktual si më sipër ka kaluar edhe fazën e kontrollit kushtetues nga gardiani i Kushtetutës me kërkesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, konform nenit 113.8 lidhur me nenin 144.3 të Kushtetutës. Sikundër dihet, sipas nenit 144 paragrafi 3 të Kushtetutës çdo ndryshim i Kushtetutës mund të miratohet nga Kuvendi vetëm pasi të ketë marrë pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vihet në lëvizje me kërkesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Me anë të kësaj procedure, Gjykata Kushtetuese bënë vlerësimin e kontrollit kushtetues të amendamentit të propozuar. Parametrat kushtetues të cilët i kontrollon Gjykata me rastin e kontrollit kushtetues të çdo amendamenti kushtetues gjenden në kapitullin e dytë të Kushtetutës, në germën dhe frymën e saj. Këto parametra i ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese në dhjetëra vendime, siç janë ato lidhur me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur në vitin 2012 apo lidhur me rastin e ish presidentes Jahjaga në vitin pararendës.

Amendamenti i propozuar dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës. Por, pas amendamentimit të Kushtetutës, ku është shtuar nenin 162 që fletë për Gjykatën Speciale, kompetenca e kontrollit kushtetues nuk i takon më vetëm Gjykatës së deritanishme Kushtetuese të Republikës së Kosovë, por edhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë, e cila do të vendosë ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese sipas nenit 113 të Kushtetutës në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë këtu çështjet e kontrollit abstrakt preventiv të kushtetutshmërisë së ligjeve, por jo të amendamenteve kushtetuese. Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale nuk ka kompetencë për kontrollin kushtetues të amendamenteve sepse paragrafi i tretë i nenit 162 i referohet nenit 113 të Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Speciale. Ky ligj, ndërkaq, flet vetëm për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe ankesën kushtetuese dhe asesi për amendamentet kushtetuese. Se kjo është kështu, lege artis, shihet qartë nga fakti se amendamentet mund të referohen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës vetëm nga kryetari i Kuvendit të Kosovës e asesi nga dikush tjetër. Ombudspersoni i Gjykatës Speciale i ka qartë të përcaktuara kompetencat e veta në Ligjin për Gjykatën Speciale. Në to nuk është parashikuar kompetenca për referim të amendamenteve kushtetuese. E njëjta gjë vlen, mutatis mutandis, për Ombudspersonin e Kosovës i cili, krahas atij në Hagë, ka të drejtë të referoj çështje kushtetuese por vetëm sipas Kushtetutës, jo sipas asnjë ligji tjetër. E Kushtetuta, qartë e thotë se amendamentet kushtetuese dërgohen për kontroll kushtetues preventiv në Gjykatën Kushtetuese vetëm përmes dorës së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në lidhje me juridiksionin lëndor dhe punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ajo ka juridiksion mbi çdo referim tek Gjykata Kushtetuese të bërë nga personat e autorizuar për të bërë referime në bazë të nenit 113 të Kushtetutës që ndërlidhen apo që kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi, punën, vendimet, urdhrat apo aktgjykimet e Dhomave të Specializuara apo me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kjo thuhet në nenin 49, paragrafët 1 dhe 2 [Peticioni në Gjykatën Kushtetuese] i Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Këto dy paragrafë janë të sakta. Flasin për juridiksionin ratione materiae dhe ratione personae. E vërtetë është se sipas Ligjit nr. 05/L-053 interpretimi dhe vendosja në lëmin material dhe personal i takon dhomës kushtetuese pranë Gjykatës Speciale. Kjo, megjithatë, në asnjë interpretim nuk përfshinë kontrollin kushtetues të amendamenteve kushtetuese. Të vetmet janë amendamentet kushtetuese për te cilat dhoma kushtetuese e Gjykatës Speciale nuk ka asnjë ingerencë (kompetencë).

Në lidhje me ligjin, është kërkesë e Kushtetutës së Kosovës që të miratohet një ligj për Gjykatën Speciale. Kjo bëhet e qartë në nenin 162, paragrafi 1 i Kushtetutës, i cili përcakton se ”[…] organizimi, funksionimi dhe jurisdiksioni i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohen me këtë nen dhe me ligj të veçantë.” Kjo, pra, nënkupton se është dashur patjetër që Kosova të nxjerr një ligj për Gjykatën Speciale. Një gjë e tillë është bërë me nxjerrjen e Ligjit nr. 05/L-053.

Shfuqizimi i Ligjit ekzistues nr. 05/L-053 dhe mos-nxjerrja e një ligjit të ri përbën shkelje kushtetuese. Ligji mund të amendamentohet, por gjithnjë duhet pasur kujdes që ky ndryshim nuk guxon të cenojë përcaktimet kushtetuese nga në nenin 162 i të Kushtetutës. Kjo sepse një amendamentim i tillë fare lehtë mund të shpallet anti-kushtetues nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale. Si antikushtetues, nga po kjo dhomë kushtetuese, mund të shpallet edhe vendimi eventual i Kuvendit të Kosovës për shfuqizim të tërësishëm (abrogim) të Ligjit nr. 05/L-053. Kjo sepse dhoma e specializuar për çështjet kushtetuese është pjesë përbërëse e Gjykatës Speciale me kompetenca të qarta për të ushtruar kontrollin kushtetues të çdo akti juridik, individual dhe të përgjithshëm, me përjashtim të kontrollit kushtetues të amendamenteve kushtetuese.

Përveç si më sipër, Ligji nr.05/L-053 ka edhe një dobësi tjetër strukturore: është një ligj i thjeshtë që është nxjerr në vijim të vënies në jetë të detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës. Këto detyrime ndërkombëtare të Kosovës janë marrë përsipër përmes ratifikimit të këtyre dy akteve të përgjithshme juridike, Ligjit nr. 04/L-274 (2014) dhe marrëveshjes ndërkombëtare me Holandën, e ratifikuar më datë 15 shkurt 2016. Si ligj i thjeshtë, Ligji nr. 05/L-053 ka mund të shfuqizohet në tërësi (abrgohet) me një ligj tjetër të thjeshtë vetëm në rast se nuk do të ekzistonin detyrimet e sipërme ndërkombëtare të Kosovës, të cilat kanë epërsi mbi çdo ligj të zakonshëm. Kjo qartë theksohet në nenin 19.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për më tepër, ky nen flet edhe për normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare, normat jus cogens, në të cilat pikërisht hyjnë çështja e krimeve për cilat është themeluar Gjykata Speciale me vullnetin e përfaqësuesve të sovranit të Kosovës me dy të tretat e votave të tyre dhe me votat dyfishta.