Fillon konferenca ndërkombëtare “Modeli i Bashkimit Evropian, Kosova 2016”

Konferenca ka për synim që të lidh të rinjtë nga mbarë Evropa, përmes procesit të mësimit të funksionimit të brendshëm të Bashkimit Evropian

PRISHTINË – Konferenca e parë ndërkombëtare “Modeli i Bashkimit Evropian, Kosova 2016” është hapur sot, në mënyrë solemne, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Në këtë konferencë e cila do të zgjas tre ditë dhe në të cilën po marrin pjesë 200 të rinj nga mbarë Evropa dhe Kosova, qëllimi është të simulohen proceset legjislative të BE-së, raporton Anadolu Agency.

Pjesëmarrësit do të luajnë rolet e ministrave, deputetëve, gjykatësve, lobistëve dhe gazetarëve, duke simuluar kështu situatat reale të vendimmarrjes legjislative në institucionet e Bashkimit Evropian.

Ditën e fundit të konferencës, të dielën, është planifikuar të simulohet Parlamenti i Bashkimit Evropian në sallën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës ku edhe do mbahet ceremonia kryesore e kësaj ngjarjeje, ku pjesëmarrësit do të simulojnë debatin për krizën aktuale të refugjatëve dhe procesin e liberalizimit të vizave. Në fund, 200 pjesëmarrësit e rinj nga mbarë Evropa do të votojnë rezolutën për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo konferencë që po organizohet për herë të parë në Kosovë, është nismë e Institutit Cilësor për Hulumtime, Analiza dhe Trajnime (iCHAT) në partneritet me “I choose to change the world” dhe përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Themeluesi i “Modeli i Bashkimit Evropian, Kosova 2016” (MEU Kosovo), Besmir Kokollari ka deklaruar se konferenca ka për synim që të lidh të rinjtë nga mbarë Evropa, përmes procesit të mësimit të funksionimit të brendshëm të Bashkimit Evropian.

Ai ka rikujtuar se simulimi i parë ndërkombëtarë i Modelit të BE-së është mbajtur në vitin 2007, në Strasburg dhe ka marrë përkrahjen e madhe të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

“Ky nuk është vetëm një projekt arsimor i veçantë i cili iu mundëson pjesëmarrësve që të zhvillojnë aftësitë e tyre për debate, komunikim dhe ligjërim në ambiente ndërkombëtare, por është vend ku të rinjtë e kuptojnë se si bëhen ndryshimet dhe cili është roli i tyre në përmirësimin e gjendjes në botë, cilat janë mundësitë për veprimin kulturor, si vlerë shtesë e dallimeve në integrime evropiane” tha Kokollari.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Xhevat Bajrami ka theksuar se të rinjtë janë pasuria më e madhe dhe më e vlefshme e Kosovës, sot pjesë e pandashme e Evropës.

Në fjalën hyrëse të hapjes së kësaj konference, ka folur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Teuta Sahatçia, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.